Pas dështimit të procesit të regjistrimit të popullsisë në Maqedoni vitin e kaluar, partia opozitare maqedonase, Lidhja Social-Demokrate, kërkoi përmes një projekt ligji që regjistrimi të mbahet gjatë këtij viti prej 1 deri më 15 prill.
“Propozimi i LSDM-së është një mundësi e mirë që të përmirësohen gabimet e vitit 2011, të përmisohet gabimi që Maqedonisë i kushtoi 14 milion euro dhe dëmtoi imazhin e institucioneve të saj. Po ashtu mendoj se Qeveria duhet të përgjigjet për krimin e bërë dhe të japë llogari para qytetarëve se ku përfunduan 14 milion eurot e parashikuara për regjistrimin”, tha deputetja e LSDM-së, Radmilla Shaqerinska.
Propozimi është kundërshtuar nga mazhoranca. Deputetët e partisë shqiptare në pushtet BDI, thanë se nuk frikësohen nga regjistrimi, por sipas tyre ende nuk janë krijuar kushtet për zbatimin e një regjistrimi të ri.
“Ne ju thamë qartë, nuk frikësohemi nga regjistrimi, por regjistrimi do të bëhet me metodologji që do ta kuptojmë njejtë të gjithë ose nuk do të bëhet”, tha Talat Xhaferi, deputet i BDI-së.
Partia shqiptare në opozitë PDSH, në të ardhmen do të kundërshtojë regjistrimin e popullisë, pasi vlerëson se regjistrimi i kaluar vërtetoi dyshimet e këtij subjekti për manipulimin e këtij operacioni nga Qeveria.
“PDSH do të përkujdeset që të dështojë cdo regjistrim i radhës edhe më tepër që tani kemi edhe alibi edhe të drejtë politike dhe morale që të kontestojmë cdo process tjetër që do të tentohet të realizohet në Maqedoni”, tha Imer Aliu, deputet i PDSH-së.
Procesi i regjistrimit që nisi më 1 tetor të vitit të kaluar në Maqedoni u ndërpre pak ditë para skadimit të afatit ligjor pasi anëtarët e Komisionit Shtetëror për Regjistrim dhanë dorëheqjen për shkak të problemeve të shumta në terren dhe mosmarrëveshjeve rreth interpretimit të ligjit.
Top Channel