Kompanitë amerikane ringjallen në Kinë

10/01/2012 10:00

Kompanitë “General Motors” dhe “Ford” raportuan një shitje rekord të makinave të tyre në Kinë gjatë vitit 2011, pavarësisht ngadalësimit të tregut në vendin aziatik.

“GM” deklaroi se shitjet e automjeteve të saj dhe ato të partnerëve kinezë u rritën me 8.3 për qind gjatë vitit të kaluar, duke regjistruar një rekord prej 2.5 milionë makinash.

Ndërsa “Ford” njoftoi se shitjet e tij u rritën me 7 për qind, duke arritur në 519.390 automjete. Shitja e makinave në Kinë arriti pikun në vitin 2010, pjesërisht prej masave nxitëse të qeverisë, por u bë më e moderuar gjatë vitit 2011.

Prodhuesit amerikanë të automjeteve kanë përfituar nga nxjerrja në treg e modeleve të reja, të cilat janë hedhur menjëherë në tregun kinez.

“GM” pret gjithashtu që rritja ekonomike në Kinë këtë vit të jetë më e mirë se vitin që kaloi dhe planifikon të zërë një vend më të fortë në tregun vendas.

“Ne kemi arritur fitime të konsiderueshme në Kinë në vitin 2011 dhe presim që të arrijmë të njëjtat rezultate edhe në vitin 2012, sepse kemi plot modele të reja”, deklaroi Tim Lee, president i operacioneve ndërkombëtare të “GM”, në ekspozitën e automjeteve në Detroit.

Kompania thotë gjithashtu se tregu i aksioneve të saj në Kinë u rrit në 13.6 për qind vitin e kaluar, nga 12.7 për qind që ishte në vitin 2010.

“GM” mori një ndihmë prej 50 miliardë dollarësh nga qeveria amerikane në vitin 2009, kohë kur shumë prodhues të tjerë amerikanë makinash po luftonin për mbijetesë.

Megjithatë, analistët thonë se “GM” dhe kompanitë e tjera që atëherë kanë regjistruar një rilindje, pjesërisht si pasojë e të ardhurave të korrura në Kinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA