Gazeta më e rëndësishme komuniste në Kinë është vënë në kërkim të investitorëve kapitalistë.
Ditën e martë, “Gazeta e Popullit” lajmëroi se do të kuotojë faqen e saj të internetit në bursën e Shangait, me shpresën që të përfitojë rreth 80 milion dollarë.
E përditshmja, e konsideruar si zëri më serioz i Partisë Komuniste në pushtet, justifikoi këtë vendim duke thënë se ka nevojë për këtë shumë parash, në mënyrë që të konkurrojë me sukses përballë kundërshtarëve të tjerë në treg.
Nëpërmjet fondit që pret të grumbullojë, gazeta do të përmirësojë teknologjinë, do të zgjerojë stafin dhe do të përmirësojë shërbimin e saj online.
Ndonëse Kina zhvlerësoi shumë prej parimeve komuniste me reformat e kryera nga ish-lideri Deng Xiaoping, dekada më parë, shndërrimi kapitalist i gazetës më të kulluar pro-regjimit konsiderohet befasues.
”Gazeta e Popullit” doli për herë të parë në treg në vitin 1948 dhe që prej atëherë, lexohet nga dhjetëra milion lexues në mënyrë të përditshme.
Top Channel