Ministri për Kosovën në qeverinë serbe, Goran Bogdanovic ka deklaruar se marrëveshja për lëvizjen e lirë po zbatohet plotësisht nga Beogradi.

Bogdanovic ka hedhur poshtë deklaratat e zyrtarëve kosovarë se qytetarëve me letërnjoftime nga Kosova nuk u është lejuar hyrja në Serbi.

“Procedura për të cilën është arritur marrëveshja në Bruksel vazhdon të zbatohet në të gjitha pikëkalimet. Ndoshta ajo zgjat pak më shumë se duhet për shkak të rrëmujës së festave”, ka deklaruar ministri serb.

Ai ka akuzuar qeverinë e Prishtinës se po bën përpjekje që të ndikojë tek Brukseli, në mënyrë që ky i fundit të ushtrojë presion tek qeveria serbe.

“Ndodh prej muajsh që cështje teknike Prishtina i ngre në nivel politik”, ka pohuar Bogdanovic në një prononcim për mediat serbe.

Reagimi i tij erdhi pasi shefja e delegacionit kosovar në bisedimet Kosovë-Serbi, Edita Tahiri i kërkoi ndërmjetësit të BE, Robert Cooper që të bënte presion tek Beogradi, në mënyrë që të zhbllokohej situata në pikat kufitare të Merdarës dhe Dheut të Bardhë.

Lëvizja në këto dy pika rifilloi pasditen e djeshme, pas shumë ditësh radhësh të gjata, pasi policët e doganave serbe nuk pranonin letërnjoftimet e lëshuara nga institucionet e Kosovës.

Shkak për këtë veprim të tyrin duket se u bë pritja që iu bë presidentit serb Boris Tadic nga shqiptarët gjatë vizitës së tij në Kosovë.

Që prej atëherë, qindra automjete, të drejtuara kryesisht nga emigrantë kosovarë që kthehen në vendet perëndimore, mbetën në radhë në pritje për të kaluar në Serbi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA