Amerikanët shpëtojnë një anije të dytë iraniane

10/01/2012 18:30

Një luftanije amerikane i erdhi në ndihmë një mjeti lundrues iranian dhe shpëtoi gjashtë marinarë, në operacionin e dytë të këtij lloji brenda javës, lajmëroi të martën Pentagoni.

”US Monomoy” dëgjoi një sinjal alarmi dhe shpëtoi antarët e bordit, në momentin kur anija e tyre po fuste ujë dhe po mbytej, në ujrat e Gjirit Persik.

Një prej marinarëve vuan nga djegie dhe është dërguar në klinikën e vendosur në luftanije, informoi një zëdhënës qeveritar.

Të enjten, marina amerikane shpëtoi 13 iranianë që ishin kapur nga piratët somalezë. Ndërhyrja e forcave detare në zonë solli largimin e piratëve nga anija e marrë peng, ndërsa iranianëve iu dhanë ushqime, karburant dhe medikamente për rrugën e kthimit.

Teherani falenderoi zyrtarisht Uashingtonin për këtë gjest, të cilësuar prej tyre si “humanitar”. Megjithatë, në mënyrë cinike, një zëdhënës qeveritar shtoi se Irani do të kishte preferuar që luftanijet amerikane të mos gjendeshin fare pranë ujrave të vendit.

Marrëdhëniet midis dy shteteve kanë arritur pikën më të ulët, pas raporteve të fundit se Irani është pranë ndërtimit të një bombe bërthamore dhe se është i vendosur që të vazhdojë përpara me programin.

Si rrjedhojë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kanë refuzuar që të japin garanci për mossulmimin e vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA