2012, basti i FIFA-s kundër basteve të paligjshme

10/01/2012 16:05

Bastet e paligjshme janë shndërruar në një gangrenë për futbollin botëror, aq sa fiksimi i ndeshjeve është bërë një ndër aktivitetet më fitimprurëse për organizatat mafioze, që nëpërmjet ndikimit të paligjshëm fiksojnë rezultatet e takimeve të ndryshme.

Një gjë të tillë dëshmon skandali i fundit i basteve të paligjshme që ka shpërthyer në futbollin italian, skandal i denoncuar nga Simone Farina, mbrojtës i skuadrës së Gubbios, që luan në kategoritë inferiore në Itali. Pikërisht për guximin që mori për denoncimin e tentativës për ta blerë dhe për të fiksuar rezultatin e takimit, Simone Farina-s iu rezervua edhe një pritje e vecantë nga FIFA në mbrëmjen gala të ndarjes së cmimeve në botën e futbollit të hënën më 9 janar.

Por përvec kësaj, FIFA ka në plan një sërë masash që do të luftojnë bastet e paligjshme, përfshirë këtu edhe bashkëpunimin me Interpolin për identifikimin dhe arrestimin e personave që ushtrojnë ndikim të paligjshëm në sportin më të dashur në botë.

Tjetër masë është edhe hartimi i një programi mbrojtës për “të penduarit”, ku përvec mbrojtjes fizike, parashikohen edhe amnisti për të gjithë ata futbollistë, të cilët edhe pse kanë fiksuar rezultate ndeshjesh, vendosin t’i denoncojnë rastet.

Gjithashtu, FIFA po përgatit një sistem të avancuar, (të ngjashëm me atë që përdor UEFA) që do t’i lejojë mbikqyrjen e kuotave të basteve për të identifikuar ndeshjet me “rrezik të lartë manipulimi”. Përvec këtyre masave, FIFA këtë vit parashikon hapjen e zyrave dhe dërgimin e inspektorëve të saj në Azi, Amerikën Latine dhe Lindjen e Mesme (tre zonat ku mendohet se kanë bazat rrjetet më të mëdha të bastvënies së paligjshme). Puna e këtyre zyrave dhe inspektorëve do të jetë në zbulimin dhe identifikimin e ndeshjeve të trukuara dhe bashkëpunimi me Interpolin për arrestimin e përgjegjësve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA