Zvicër, dorëhiqet guvernatori i Bankës

09/01/2012 15:35

Guvernatori i Bankës Kombëtare të Zvicrës, Philipp Hildebrand, dha dorëheqjen e parevokueshme të hënën.

Ai ishte përfshirë në një skandal abuzimi me detyrën, pasi gruaja e tij kishte këmbyer një shumë të madhe frangash në dollarë me një kurs këmbimi më të mirë, tre javë përpara se monedha të zhvlerësohej me një vendim surprizë të BKZ-së.

Pak ditë më vonë, bashkëshortja e tij riktheu në franga shumën prej 504 mijë dollarësh, të investuara më pas në blerjen e një prone. Më parë, Hildebrand kishte refuzuar të dorëhiqej, duke theksuar se nuk kishte thyer asnjë ligj.

Megjithatë, ai kishte pranuar se e kuptonte revoltën publike ndaj tij. “E kuptoj që disa prej transaksioneve që po diskutohen, në mënyrën se si janë portretizuar dhe interpretuar nga media mund të krijojnë dyshime rreth integritetit të figurës sime”, ishte shprehur Hildebrandi në prononcimin e mëparshëm në shtyp.

Së shpejti, guvernatori do të dalë në një konferencë për shtyp, por duket se ai do të justifikojë vendimin e dorëheqjes me përgjegjësinë morale. BKZ zhvlerësoi qëllimisht frangën zvicerane në gusht 2011, në mënyrë që t’i jepte një impuls rritjes së ekonomisë e eksporteve, të pafavorizuara nga një frangë e fortë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA