Shkarkohet drejtuesi “Klubit Tirana”

09/01/2012 00:00

Bashkia e Tiranës ka shkarkuar Drejtorin e Klubit Shumësportësh Tirana, Vladimir Rada, edhe pse ky klub është ndër më të suksesshmit vitet e fundit në pjesën më të madhe të sporteve në Shqipëri.

“Një arsye që mund të përmend unë që m’u tha mua zyrtarisht, është që kryetari do njerëz të rinj. Pa patur asnjë motiv, asnjë arsye tjetër, puna është shumë e mirë, rezultate të shkëlqyera, klubi është pararojë”, tha ish-drejtori sportive i klubit Tirana, Vladimir Rada.

I kontaktuar në telefon nga Top Channel, Drejtori i Sporteve në bashkinë e kryqytetit, Artan Pogoni, pohoi se ky vendim është kompetencë e kryetarit të Bashkisë.

Ndërkohë Pogoni pohoi se pretendentët kryesorë për postin e drejtorit të klubit shumësportësh janë Sokol Kasmi, Bujar Begeja dhe Mustafa Tukseferi.

“Nuk kam shqetësim se kush vjen, nuk e kam problem se s’jam unë më në krye të klubit të Tiranës, e vetmja gjë që më shqetëson është se ky klub është shkatërruar njëherë, vite më parë. Nëse vijnë njerëz që janë të atij grupi, që e shkatërruan njëherë Tiranën. Shqetësimi tjetër është nëse klubi kthehet në interesa politike, gjë që është jashtëzakonisht e dëmshme për sportin. Sportit i duhet politika për ta mbështetur, por jo për ta kthyer në celulë”, thotë zoti Rada.

Top Channel