Katër antarë të forcave ruse të sigurisë dhe tre militantë islamikë kanë mbetur të vrarë në një përballje të ndodhur në Çeçeni gjatë të hënës, lajmëroi Ministria e Brendshme Ruse.
Shkëmbimi i zjarrit ndodhi pasi ushtarët rrethuan një kamp të rebelëve në një zonë të thellë pyjore. Militantët kishin rrethuar bazën e tyre me tela me gjemba dhe me mina anti-njeri.
Përshkallëzimi i rezistencës dhe themelimi i kampeve të rebelëve edhe në zona të tjera fqinje me Çeçeninë është shndërruar në një shqetësim serioz për Moskën.
”Gjatë ndjekjes së një grupi banditësh në një terren të thyer malor në krahinën çeçene të Vedenskit, tre militantë dhe katër ushtarë mbetën të vrarë”, tha një burim zyrtar për Agjensinë e Lajmeve “Interfax”. “Sipas të dhënave paraprake, baza e militantëve ishte e fortifikuar dhe ishin pikërisht minat anti-njeri ato që shkaktuan dëmet më të mëdha për trupat qeveritare”.
Përveç katër viktimave, 16 antarë të tjerë të forcave ruse të sigurisë mbetën të plagosur. Nga ana e tij, Presidenti i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, deklaroi se operacioni i autoriteteve është pranë fitores. “Kemi arritur të gjejmë vatrën e tyre dhe kjo do të thotë se militantët janë shumë pranë shpartallimit”, tha ai.
Që prej rënies së Bashkimit Sovjetik, në krahinën me shumicë muslimane të ndodhur në Kaukazin e Veriut, është ngjallur një lëvizje separatiste që kërkon shkëputjen e Çeçenisë nga Federata Ruse. Përplasjet kanë shkaktuar edhe dy luftëra në të shkuarën, në të cilat kanë humbur jetën më shumë se 200 mijë ushtarë dhe civilë nga të dyja palët.
Top Channel