Aktiv në skenën politike por, të papërgjegjshëm ndaj studentëve të tyre. Mbajnë titullin e profesorëve të universitetit por, primare për ta është jeta politike.

Hajredin Kuçi, Besim Beqaj, Isa Mustafa, Enver Hasani , Ibrahim Gashi, Arsim Bajrami, Bardhë Rugova, Mazllum Baraliu, Edi Shukriu, Arbër Hadri, Nuri Bexheti, Arlinda Beka, Azem Lajqi, Imri Badallaj e shumë të tjerë, janë emrat e profesorëve të Universitetit të Prishtinës ndaj të cilëve studentet kanë ankesat më të mëdha.

Sipas një hulumtimi që ka dhënë rezultatet në bazë të pyetësorëve që kanë plotësuar studentet emrat që më së shumti mungojnë në ligjërata janë profesorët- politikanë.

Drejtuesit e Parlamentit Studentor deklaruan se ankesat më të mëdha të studentëve janë vonesat e profesorëve në ligjërata, vonesat e shpalljeve të rezultateve të provimit, mungesat e sallave të leximit, mungesa e literaturës në gjuhën shqipe, detyrimet nga disa profesor që të hyjnë në provime, mungesa e laboratorëve dhe mungesa e ngrohjeve. Por, zbardhja e këtyre detajeve në publik nuk ka kaluar pa presion.

Sipas kryetarit të parlamentit studentor Mentor Hasani, gjatë punimeve kanë pasur presione të ndryshme që mos të publikohen emra profesorëve në fjalë.
 
“Nëse këta profesorë mungojnë prapë, ne do të shikojmë format e mënyrës së organizimit të studentëve për t’i ndaluar këto të këqija, sepse përveç që ndikojnë në cilësinë në universitet, i dëmtojnë studentët, njëkohësisht e dëmtojnë edhe Buxhetin e Kosovës. Në bazë të këtij pyetësori ne rekomandojmë menaxhmentin e Universitetit të Prishtinës që seriozisht të punojë në përmirësimin e defekteve, të cilat janë identifikuar nga studentët, duke filluar të ndërmarr masa ndaj profesorëve dhe stafit administrativ, të cilët dyshohen se janë të korruptuar dhe që bëjnë keq menaxhim”, thotë Mentor Hasani, Kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës.

“Shkeljet e të drejtave të studentëve në UP, janë disa emra të profesorëve që janë cek nga vetë studentët e këtij universiteti. Ata janë: Hamdi Sylejmani, profesor i Fakultetit Teknik, Besfort Rrecaj, asistent i Fakultetit Juridik, Hilmi Ismaili, Fakulteti Juridik, Arbana Sahiti, Fakulteti Ekonomik në Gjilan, Lendita Tahiri, Fakulteti Filologjik, Mihrie Maloku, Fakulteti Filologjik, Flutura Çitaku, Fakulteti Filologjik, Shpejtim Elezi e Qamil Elezi, Fakulteti i Edukimit në Gjakovë, Ismet Begu, Fatos Uka, Mihane Berisha, Fakulteti Ekonomik”, deklaroi Qëndresa Çitaku, Deputete e Parlamentit Studentor.

Sipas hulumtimit studentë janë mesatarisht të kënaqur me fillimin e vitit studimor dhe me zbatimin e reformave, kurse sa i përket praktikës në UP, mungon në shumicën e fakulteteve.

Sa i përket korrupsionit në fakultete, 42 % janë përgjigjur me po dhe 14% me jo. Studentët po ashtu nuk besojnë që rektorati dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kanë përmbushur premtimet e dhëna për kushte më të mira në UP.

Hulumtimi është bërë me shpërndarjen e mbi 4 mijë pyetësorëve të cilët përmbanin nga 20 pyetje, rekomandimet gjatë së martës do t’i dorëzohen rektorit Mujë Rugova.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA