Poloni, koloneli qëllon veten në konferencë shtypi

09/01/2012 15:25

Një prokuror ushtarak në Poloni tentoi të vetvritej gjatë një konference për shtyp mesditën e së hënës, informuan mediat vendase.

Koloneli Mikolaj Pzrybyl, ishte duke mbrojtur një hetim ushtarak dhe duke përgënjeshtruar disa spekulime të mediave, në lidhje me aksidentin ajror që shkaktoi vdekjen e Presidentit të Polonisë në vitin 2010.

Ai i kërkoi reporterëve një pushim të shkurtër prej vetë pesë minutash, pas disa pyetjeve të sikletshme. Sekonda pasi u largua nga salla, u dëgjua një e shtënë. Siç raporton e përditshmja “Wiadomosci”, ai tashmë ndodhet në një spital në qytetin e Poznanit, ku gjendja e tij shëndetësore paraqitet e stabilizuar.

Gjatë konferencës për shtyp, koloneli Przybyl lexoi një deklaratë për mediat, ku ai theksonte: “Gjatë të gjithë jetës sime si civil dhe më pas prokuror ushtarak, nuk e kam turpëruar kurrë Republikën e Polonisë dhe do të mbroj nderin e një oficeri të Ushtrisë Polake dhe integritetin e një prokurori. Ju faleminderit, më jepni vetëm pesë minuta kohë dhe rifillojmë përsëri”.

Përpara mediave, Pzrybyl kishte kundërshtuar me forcë versionin e dalë nga një “kabllogram” i përfolur i zbuluar nga mediat, sipas të cilave ushtria nuk i ka bërë të ditur të gjitha detajet në lidhje me aksidentin fatal që solli vdekjen e presidentit Lech Kacynsky dhe disa funksionarëve të tjerë të lartë në vend.

Presidenti i vendit, Bronislaë Komoroëski, është shprehur i “shqetësuar” dhe i ka kërkuar një zyre përgjegjëse që të hetojë edhe ajo mbi skandalin e përfolur prej mediave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA