Një vit nga vrasja e 4 protestuesve në 21 janar para kryeministrisë, Partia Socialiste ka vendosur të organizojë në bulevardin Dëshmorët e Kombit një homazh në përkujtim të Ziver Veizit, Aleks Nikës, Kujtim Myrtajt dhe Hekuran Dedës.

Ky ka qenë vendimi që është marrë pas takimit të kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe sekretarëve të partisë në një takim ku është diskutuar kalendari i punës.

Homazhi që do të organizohet më 21 janar pritet, të paktën për nga forma, të jetë i ngjashëm me atë të organizuar nga opozita më 28 janar 2011.

Në homazhe pritet të marrin pjesë opozitarë jo vetëm nga kryeqyteti, por nga e gjithë Shqipëria. Ndërkohë që krerë të Partisë Socialiste pritet të shkojnë edhe në shtëpitë e viktimave në respekt të ceremonive private që ato do të organizojnë.

Në takimin e nisur që në orët e paradites, i cili ka zgjatur rreth 60 minuta, kreu i Partisë Socialiste, Rama me sekretarët ka diskutuar ndër të tjera edhe për organizmin e 20-vjetorit të organizatës rinore socialiste, FRESH.

Cështja e 21 janarit u rikthye në qendër të vëmendjes në fund të vitit të kaluar, kur kryeministri Sali Berisha, në konferencën për shtyp të fundvitit, deklaroi se 21 janari ishte një reagim kushtetues i shtetit të së drejtës.

I menjëhershën ka qënë reagimi i kreut të opozitës Edi Rama, i cili në një mesazh të postuar në Twitter i kujtoi kryeministrit se: “Shteti kushtetues e ligjor do funksionojë kur të dalin para drejtësisë e të ndëshkohen vrasësit e 21 janarit, kush dha urdhër e kush qëlloi!”.

Ngjarja në fjalë u prek para pak ditësh edhe nga presidenti Bamir Topi, i cili në një intervistë për “DW”, e cilësoi atë si “ngjarjen më të rëndë”.

Gjithashtu, ajo u komentua edhe nga ambasadori amerikan Alexander Arvizu në një intervistë të gjatë për të përditshmen “Shqip”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA