Ministria e Diasporës ka reaguar ashpër për problemet e shumta që janë
krijuar në pikat kufitare Kosovë-Serbi në këto ditë kur shumë emigrantë
që ishin kthyer në Kosovë për festat e fundvitit, po kthehen në vendet
ku aktualisht jetojnë.

Ministria e Diasporës, përmes një komunikate për media, cituar nga Kosovatimes, tha se me shqetësim i përcolli ngjarjet e fundit, të zhvilluara në kufirin e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, kryesisht në pikën kufitare Merdare, ku familje të tëra emigrantësh u detyruan të presin në radhë të stërgjata për kalimin e kufirit, si pasojë e mosrespektimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë nga ana e palës serbe.

“Në këto radhë të krijuara në hyrje të shtetit të Serbisë ata që vuajtën pasojat ishin emigrantët, të cilët u detyruan të presin me ditë të tëra për verifikimin e dokumenteve të udhëtimit”, thuhet në komunikatë.

Ministria e Diasporës apelon tek të gjitha palët e përfshira që të veprojnë me përgjegjësi të plotë dhe ta zbatojnë me përpikshmëri marrëveshjen për lëvizjen e lirë, si dhe në të ardhmen mos të përsëriten pamje të tilla të shëmtuara, të cilat e pasqyrojnë fizionominë e një shteti që ka mbetur i ngecur në mendësinë e të së kaluarës dhe rob i paragjykimeve, të cilat ushqehen nga politika që më së paku pasqyrojnë aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por ta dëshmojë të njëjtën pjekuri politike të cilën e tregon pala kosovare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA