Disa liderë myslimanë në Libi kanë njoftuar në Bengazi krijimin e partisë së parë islamike libike, që synon ndërtimin e shtetit të ri sipas Sharias, sic njihet në gjuhën lokale ligji islamik.
“Vizioni ynë është të pagëzojmë unitetin kombëtar dhe të ndërtojmë një shtet libik modern, pa përjashtuar apo margjinalizuar askënd”, ka deklaruar lideri Al Wechefani.
Megjithatë, ai ka theksuar se refuzon të negociojë me subjekte politike të cilat bien ndesh me ligjin islamik, si laikët apo liberalët.
Gjithësesi, Libia ka ende shumë probleme përpara për të zgjidhur. Pak ditë më parë presidenti i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, Mustafa Abdel Jalil paralajmëroi se vendi rrezikon të hyjë në luftë civile nëse nuk arrin të mbajë nën kontroll milicitë rivale që kanë mbushur prej kohësh hapësirën e lënë bosh nga Muammar Gaddafi.
Paralajmërimi u bë pas vrasjes së katër personave në një përleshje të armatosur në Tripoli. “Ndodhemi përpara këtyre akteve të dhunës që e vendosin Libinë përpara një përplasjeje luftarake që nuk duhet ta lejojmë, ndryshe do të ndahemi dhe do të hyjmë në luftë civile”, deklaroi Jalil.
Gjithashtu, pak kohë më parë një tjetër zyrtar i lartë paralajmëroi rrezikun që vendit i kanosej nga njerëzit e një prej djemve të Gaddafit, të cilët kanë arritur të hyjnë në organet qeverisëse.
Gjithashtu, një tjetër ngjarje trembi Këshillin Kombëtar të Tranzicionit, kërkesa e bërë në fund të vitit të kaluar nga rebelët që luftuan kundër regjimit, për një përfaqësim më të gjerë në qeveri.
Pavarësisht se drejtuesit e KKT-së iu përgjigjën pozitivisht kërkesës së tyre, ajo tregoi ndasitë që ekzistojnë mes drejtuesve të rinj të pushtetit libian.
Top Channel