Konfirmohet partia e Bamir Topit

09/01/2012 22:45

Një nga ish-zërat kritikë brenda Partisë Demokratike për mënyrën e drejtimit të saj dhe një ndër mbështetësit e presidentit Bamir Topi, bëri me dije në emisionin “Shqip” në Top Channel për formimin e një partie të re të djathtë, lideri i së cilës do të jetë Bamir Topi.

Bëhet fjalë për Aleksandër Biberajn, i cili tha se në Shqipëri s’ka më Parti Demokratike, e cila sipas tij, është shndërruar në një parti të formulës dhe vulës së kryetarit, ku mungojnë forumet dhe debatet. Biberaj i dha fund gjithashtu edhe zërave për një lidhje mes Aleancës KuqeZi dhe partisë së re që pritet të krijojë, e cila, sic tha ai, është ende në fazë projekti. Biberaj shprehu optimizmin për një rezultat pozitiv në zgjedhje, madje ai foli për fitore të tyre.

Biberaj: Sot s’ka PD, me keqardhje e them. Pas 2005-s është shndërruar në parti të formulës së kryetarit. Kam bërë përpjekjet e mia për demokratizimin e kësaj partie, por zëri im ka rënë në vesh të shurdhër. E shoh pa shpresë reformimin e PD. Shpresa e së djathtës është një parti e re e së djathtës, ku lidershipi dhe kryetarët të zgjidhen me 1 anëtar 1 votë. E shoh zotin Topi si lider të kësaj partie. Aktualisht po punoj me programin, me organizimin dhe mendoj që do kemi përkrahje të jashtëzakonshme. Demokratët e zhgënjyer do të jenë një përkrahje për ne. E djathta ka nevojë për një formacion të ri politik, PD nuk është më parti e djathtë, me një qeverisje të korruptuar, ku nga i pari tek i fundit punojnë 24 orë për aferat e tyre personale. Do zhvillojmë luftë për të qenë forcë e parë politike. Partia e re nuk ka dhe nuk do të ketë kurrëfarë lidhje me Aleancën KuqeZi.

Të ftuar në emisionin “Shqip” ishin edhe analistët Shpëtim Nazarko dhe Mustafa Nano dhe anëtari i Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj të cilët në takimin e parë për vitin 2012, që  pritet të jetë një vit shumë i rëndësishëm në historinë e shtetit shqiptar, ku disa ngjarje të mëdha janë të paralajmëruar që tani, dhanë opinionet e tyre lidhur me disa data e cështje kyce.

E para, 16 janari, është dita kur gjykata do të japë vendimin mbi fajësinë e ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta dhe do të ndiqet nga parakalimi përkujtimor i 21 janarit, që do të nderojë katër viktimat që humbën jetën një vit më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Gjithashtu, ky do të jetë viti i zgjedhjeve presidenciale. Dy janë figurat që kanë konfirmuar interesin e tyre për këtë rol, Fatos Nano, që tenton për herë të dytë pas 2007-s dhe presidenti aktual, Bamir Topi.

Njëkohësisht, në 2012 duhet të përcaktohet kodi i ri zgjedhor, shansi i radhës për statusin e vendit kandidat në BE dhe mbi të gjitha, do të festohet 100-vjetori i pavarësisë së vendit.

Gjyqi i Metës dhe 21 janari

Ngjarja e parë e madhe e vitit është vendimi për fajësinë e Ilir Metës për akuzat e korrupsionit, për të cilin gjykata do të shprehet në datën 16 janar. Një çështje e tillë është e lidhur njëkohësisht me parakalimin përkujtimor të 21 janarit, të shpallur nga opozita ditën e hënë.

Nano: “Personalisht, nuk  pres që nga procesi të ketë të papritura. Nga informacionet që kam, me përjashtim të gjykatësit Dvorani, të tjerët janë kompakt, janë kundër pretendimeve të Prokurorisë dhe e kanë dëshmuar edhe më parë këtë me qëndrimin e tyre gjatë procesit. Unë nuk pres që gjykata të shpallë pretendimet nul dhe Meta të dalë i pafajshëm. S’kemi të drejtë të parashikojmë vendimet e gjykatave, por mund të japim opinione. 21 janari, për mua është një vijë demarkacioni që ndaj mesjetën nga e tashmja. Një popull i tërë u bë idiot nga çadrat pistoletë, qëndrimi faktik i mbajtur turpëron gjithë shoqërinë që fali krimin që u bë. Ata që mbrojnë idenë që ua bëri mirë se mbrojti institucionet, unë ndaj një botë krejt tjetër. Atë ditë, katër njerëz u dënuan me vdekje dhe ne ende nuk e dimë përse. Më i rëndë se akti i vrasjes, është tentativa për ta justifikuar, duke trajtuar në mënyrë idiotike një shoqëri të tërë”.

Mustafaj: “Nuk është mirë të paragjykohet vendimi i gjykatës. Lufta ndaj korrupsionit është theksuar nga komuniteti ndërkombëtar në raportet e 2011-s dhe besoj se kjo trupë gjykuese do ta marrë me seriozitetin që meriton një proces të tillë. Megjithatë, për mua, 21 janari shërben për të thënë që drejtësia një vit pas nuk ka thënë ende fjalën e saj”.

Biberaj: “Nuk duhet paragjykuar vendimi që do të japë gjykata, por përtej çështjes Meta, drejtësia është dështimi më i madh i demokracisë shqiptare dhe reformimi i saj është absolutisht i domosdoshëm të kryhet sa më shpejt”.

Nazarko: “Këta jenë njerëz pa asnjë lloj turpi, që tashmë na kanë shkuar nëpër samite dhe i japin mend botës se si të ruajë lekët e saj. Në 21 janari do të jetë një përvjetor i zakonshëm, qoftë edhe sepse opozita e ka trashur lëkurën e saj, që në 1997-n. Mendoj se e gjithë shoqëria shqiptare, djathtas e majtas, ka arritur një nivel jashtëzakonisht të ulët, në disa drejtime edhe më të ulta se në kohën e Enver Hoxhës. Drejtësia, jam dakord që është dështimi më i madh, por jo vetëm në çështjet Meta  e Gërdec, por në ato të përditshmet, të atyre njerëzve të zakonshëm, që enden përditë nëpër dyer e gjykatave pa gjetur kurrë të drejtë”.

Zgjedhjet për Presidentin e Republikës

Në fund të vitit 2011, Presidenti Bamir Topi përshëndeti gazetarët duke thënë se ishte viti i fundit që ai qëndronte në Presidencë, të paktën përsa kohë kushtetuta do të ishte e njëjta. Nga ana tjetër, Nano ka pranuar publikisht ambiciet e tij për t’u shndërruar në kryetar të shtetit. Çfarë do të ndodhë në 2012-n?

Nazarko: “Nuk besoj se Topi do të krijojë një parti të re politike, por shanset më të mëdha janë të bëjë presion brenda Partisë Demokratike. Besoj se ai do të jetë një ndër pikat dhe shpresat më të forta të PD-së. Historitë me skema dhe parti politike të reja që krijojnë premisa dhe shanse të mira për atë që ka 4-5%, që të bëjë rolin e LSI-së, nuk di t’i bëj. Mendoj se Presidenti ka një tagër të madh brenda PD-së dhe në momentin e parë që do të vijë lëkundja, sepse ekonomia s’do të shkojë siç e mendon PD, me vendin që po shkon si Greqia. Nuk e mendoj që brenda natyrës individuale të Berishës, të vendosë në këtë pozicion një njeri të pamenaxhueshëm. Nuk pres që historia të përfundojë me Berishën në pension dhe Nanon nga sipër, një histori që nisi me këtë të fundit në burg e atë President. Për më tepër, nënkupton organet e drejtësisë dhe ato Berisha nuk mund t’I lëshojë”.

Nano: “Fryma e kushtetutës sonë kërkon president konsensual pasi shprehet që ai përfaqëson unitetin kombëtar. Prandaj, në versionin fillestar të kushtetutës zgjidhej me 3/5. Rama ka bërë gabimin më fatal, mbase edhe një poshtërsi, që ndryshoi këtë moment të kushtetutës dhe do të mbetet një disfatë e madhe në karrierën e tij, pavarësisht asaj që ndodhi pas. Sipas meje, Berisha ka të drejtë që me 71 veta zgjedh presidentin që do, por gabimin që bën ai është që e trajton këtë si një obligim kushtetues, por një mundësi kushtetuese. Nëse e bën me konsensus dhe e zgjidh me 84, edhe më mirë. Dhe Jozefina Topalli nuk mund të jetë Presidente e Shqipërisë, pasi është shumë partizane dhe nuk mund të përfaqësoj unitetin e vendit. Ajo nuk është një njeri institucional, me tone të qeta, që kanë demonstruar respekt për gjykatën, drejtësinë, si Napolitano në Itali, gjithë jetën komunist, por gjithmonë respektues ndaj institucionet”.

Mustafaj: “Mendoj se duhet të flasim për një kandidat, pasi ka vetëm një të tillë që në këtë moment është Fatos Nano. Bamir Topi është shprehur se nuk ka ndërmend që të ushtrojë më këtë funksion. Megjithatë, unë mendoj se këto zgjedhje janë një test i madh për demokracinë shqiptare, pikërisht për të parë nëse bashkëpunimi në parlament po funksionon me të vërtetë. Nuk është Avokati i Popullit që tregon këtë dhe për institucionet ndërkombëtare, do të jetë pikërisht ky testi i madh”.

Biberaj: Së djathtës shqiptare i duhet një parti tjetër e fortë, sepse Partia Demokratike ka rrëshqitur shumë majtas, sidomos koalicioni me LSI-në e ka dëmtuar shumë PD-në. Mendoj se për krijimin e një partie të tillë zoti Topi i ka mundësitë dhe aftësitë. Ndërsa sa i përket kandidaturës së Nanos, mendoj se Nano e ka mbyllur ciklin si politikan dhe nuk mund të bëhet president.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA