
Ndërsa moti i keq dhe shirat kanë pushtuar pjesën më të madhe të Europës, në Austri reshjet e dëborës dhe erërat e furishme shkaktuan probleme në shumë zona në perëndim të vendit. Fshatra dhe zona turistike janë izoluar.
Stuhia “Andrea” ka sjellë me vete erëra me shpejtësi mbi 130 km në orë dhe reshje dëbore në rajonin e Tirolit dhe Vorarlbergut. Ditët e fundit situata duket se ka ndryshuar dhe autoritetet e rajonit të Arlbergut janë shprehur të lehtësuar.
Siç raportojnë mediat, në disa zona prej së enjtes dëbora ka arritur mbi 1.2 metra. Të pakten 2000 shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike.
Autoritetet paralajmëruan për rrezikun e orteqeve.
“Departamenti i mbikëqyrjes së orteqeve po vëzhgon me vëmendje situatën dhe po zhvillon takime për këtë çështje. Ata vendosin nëse një rrugë duhet të bllokohet ose jo, janë ata që vlerësojne rreziqet dhe marrin vendime”, u shpreh Christopher Deiner, shefi i policisë së St.Anton.
Ushtria austriake ka vënë në gjendje gadishmërie të lartë disa helikopterë për të vëzhguar situatën. Meteorologët parashikojnë më shumë reshje dëbore në ditët e ardhshme në veri të Alpeve.
Top Channel