Ministrja serbe e Drejtësisë, Snezhana Mallovic ka deklaruar se urdhër-arresti ndaj ish-komandantit të UCK-së, Agim Ceku mbetet ende në fuqi.
Mallovic ka përgënjeshtruar kështu lajmet e qarkulluara në media se, ndaj ministrit aktual të FSK-së autoritetet serbe kishin pezulluar fletë-arrestin.
“Kjo nuk është e vërtetë, urdhër-arresti vazhdon të jetë në fuqi. Ndonëse hetimet janë zhvilluar shumë keq, me shumë lëshime, dihet që në kohën e luftës kanë ndodhur krime të mëdha në zonën e përgjegjësisë së Agim Cekut”, ka deklaruar Mallovic.
Ajo ka theksuar se për shkak të Cekut e kanë pësuar shumë civilë serbë, të cilët ose janë vrarë ose janë bërë robër lufte, dhe ka shtuar se gjithësesi, përgjigjia e duhur do të vijë nga prokurorët.
Urdhër-arresti ndaj Agim Cekut është lëshuar në rang ndërkombëtar dhe gjatë vizitave të tij jashtë vendit ish-kryeministri i Kosovës është arrestuar disa herë.
Para pak vitesh ai u arrestua teksa ndodhej në Kolumbi për një konferencë, por para se të ekstradohej në Serbi u lirua falë ndërhyrjes së ministrit të atëhershëm të Jashtëm francez, Bernard Kouchner.
Ndërsa një tjetër arrestim i tij u krye kur ndodhej në Bullgari, por edhe këtu u lirua dhe qeveria e Sofies nuk plotësoi dëshirën e Beogradit për ekstradim.
Top Channel