Po të ishte anëtar i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu do të vendoste që kuorimi prej 84 votash të ishte i domosdoshëm për të zhvilluar tre raundet e para të votimit për presidentin e Republikës.
Në fakt, zoti Abdiu ka qenë kryetar i kësaj gjykate nga viti ’98 deri në vitin 2004 dhe ka vazhduar të jetë anëtar i saj deri në vitin 2010.
Sot kjo gjykatë mund të përballet me një kërkesë të tillë, që do të sqaronte njëherë e përgjithmonë se cfarë kuorumi nevojitet në tre raundet e para për zgjedhjen e presidentit.
Në këto tre raunde presidentit zgjidhet me shumicë të cilësuar prej 84 votash dhe debati është nëse po kaq duhen për të celur seancën, apo mjaftojnë 71 deputetë?
Në fakt, kur Bamir Topi u zgjodh president në korrik 2007, cështja e kuorumit nuk u shtrua fare, madje në tre raundet e para nuk pati as edhe një kandidaturë të vetme.
Kushtetuta e Shqipërisë është eksplicite në këtë pikë kur thotë se: “votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat”.
Por vitin e shkuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës e cilësoi zgjedhjen e Behxhet Pacollit si antikushtetuese, pikërisht sepse në dy raundet e para nuk votuan aq deputetë sa parashikon atje shumica e cilësuar.
Duke qenë se zgjedhja e presidentit të Kosovës me atë të Shqipërisë ka ngjashmëri, kjo ka celur debate edhe në Shqipëri.
Zoti Abdiu mendon se shumica e cilësuar prej 84 deputetësh që nevojitet për vendimmarrje në tre raundet e para, është e nevojshme edhe për të celur vetë seancën. Ai i referohet pikërisht Kushtetutës.
“Unë ruaj mendimin se neni 87, që flet për 3 raundet e para, kërkon një kuorum të cilësuar, që në seancë të jenë të pranishëm 84 deputetë. Tre raundet e para, sipas mendimit tim, janë kërkesa të domosdoshme për të vënë partitë politike në bisedime dhe për të nxjerrë një president sa më konsensual”, deklaron Abdiu.
Zoti Abdiu thotë se ka vend megjithatë për një interpretim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, përderisa ekziston edhe një mendim i kundërt me të tijin.
“Duke qenë se përplasen dy mendime, mund të jetë e nevojshme të ndërmerren hapa kushtetues për të paraqitur një kërkesë para Gjykatës Kushtetuese”, nënvizon Abdiu.
Për këtë cështje konkrete, zoti Abdiu mendon se deputetët janë subjekti më i përshtatshëm për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ndonëse Kushtetuta legjitimon edhe presidentin e Republikës.
“Vetëm ata janë të interesuar që për presidentin të zbatohen rigorozisht procedurat, sic e kërkon Kushtetuta. Një kërkesë e presidentit në këto momente, për mendimin tim, nuk do të shkonte, pasi do kompromentonte figurën e tij dhe mund të interpretohej si një insinuatë politike, ose si një veprim i pamatur”, thotë më tej Abdiu.
Por edhe nëse një kërkesë e tillë do të paraqitej qysh nëser përpara Gjykatës Kushtetuese, asgjë nuk garanton se kjo gjykatë do të merrte një vendim përpara verës së ardhshme.
Sepse Gjykata Kushtetuese nuk ka afat për të dhënë vendim në lidhje me cështjet që i paraqiten për shqyrtim.
Top Channel