Në “detin politik plot tallaze” të Greqisë “hap velat e saj për lundrim” Partia e Piratëve Grekë, një forcë e re që lind me ambiciet për të zënë një vend të rëndësishëm në skenën politike të vendit, ku partitë e tjera humbasin çdo ditë e më shumë besueshmërinë e tyre.

Përpjekjet për krijimin e kësaj partie filluan në 2009, u konsoliduan në shtator të vitit të kaluar për të hedhur bazat në nëntor, në një kafe-internet në Athinë, nën shembullin e partive të piratëve të Suedisë dhe Gjermanisë, ndërsa zyrtarizimi i saj është çështje ditësh.

Statusi i hartuar me peticionin e themelimit, vjen për të bërë realitet parimet e transparencës në administratën publike, demokracisë së drejtpërdrejtë dhe të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, si në botën dixhitale ashtu dhe në çdo aspekt tjetër të jetës. Cdo gjë u krye me shpejtësi internetike dhe brenda dy ditësh faqen e saj zyrtare e vizituan rreth 15000 qytetarë.

Piratët grekë nuk vijnë as nga spektri i djathtë dhe as nga ai i majti. Janë kryesisht njerëz të frymëzuar nga interneti dhe dëshirojnë të shprehin pikëpamjet e tyre nëpërmjet tij. Në programin e tyre, midis të tjerave, veçohet forcimi i ndarjes së pushteteve, respektimi i privatësisë, shpërbërja e monopoleve private, e drejta për akses në njohuri dhe kulturë, mbrojtja e informatorëve, gazetarët dhe blogerave kur ata zbulojnë shkelje ligjore, përdorimi i standardeve të hapura dhe programeve kompjuterike.

“Është çmenduri që kompanitë arkëtojnë ende para për të drejtën e autorit tre breza më vonë”, theksojnë anëtarët e kësaj partie në Selanik.

Në të gjithë botën ekzistojnë 56 parti të piratëve, 21 prej të cilave janë zyrtarisht të njohura. Kanë zgjedhur në Europë 2 eurodeputetë, 15deputetë dhe 194 këshilltarë bashkiakë. Disavantazhi kryesor i piratëve grekë është se për momentin ende nuk mund të japin alternativa për zgjidhjen e krizës ekonomike që po kalon Greqia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA