Ish-portieri i kombëtares meksikane, Omar “El Gato” Ortiz, u arrestua ditën e dielë nga policia meksikane, i dyshuar si pjesëmarrës në një rrjet kriminal.
Ortiz besohet se ka bashkëpunuar me një klan mafioz në krahinën e Nuevo Leonit, duke marrë pjesë në më shumë se 20 rrëmbime personi.
Një zëdhënës qeveritar tha se 35-vjeçari ndihmonte në përzgjedhjen e objektivave të sulmeve të bandës, të cilët ishin njerëz të pasur, që paguanin shuma të majme për t’i rikthyer gjallë familjarët.
Portieri ishte detyruar të tërhiqej nga futbolli në vitin 2010, pasi rezultoi pozitiv në një testim antidopingu. Më parë, familjarët e tij kishin folur të shqetësuar në media, pasi “El Gato” ishte zhdukur për disa ditë, duke bërë që ata të frikësoheshin se ishte rrëmbyer.
Sipas hetuesit të çështjes, Ortiz, i cili luante në skuadrën e Montereit kur u pezullua, ka pranuar se njihte antarët e bandës prej më shumë se një viti dhe se kishte punuar së bashku me ta.
Nëse dënohet, ish-portieri i përfaqësues meksikane rrezikon të qëndrojë në burg për 50 vitet e ardhshme të jetës së tij.
Top Channel