Intelektualët shqiptarë të Luginës së Preshevës kërkojnë që Presidentët dhe Kryeministrat e Kosovës e të Shqipërisë të vizitojnë komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.

“Meqë presidenti Tadiç dhe zyrtarët e tjerë serbë hyjnë e dalin në Kosovë për një grusht bashkëkombasish të tyre, Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Sali Berisha apo kryeministri Hashim Thaçi, duhet të marrin përgjegjësinë dhe shembullin duke bërë përpjekje diplomatike që të vijnë një ditë e të vizitojnë tri komunat e anashkaluara shqiptare nën Serbi, të vizitojnë monumentet kulturo-historike shqiptare si Molla e Kuqe, Masurica dhe lokalitetet tjera”, theksojnë intelektualët shqiptarë të Luginës, të kryesuar nga publicisti Refik Hasani.

Siç shkruan “Telegrafi”, një arsye tjetër për këtë vizitë, sipas banorëve vendas, është simbolika e 1 dhe 2 marsit, që këtë vit shënon 20 vjetorin e referendumit të Luginës së Preshevës për bashkëngjitje me Kosovën dhe 11 vjetorin e marrëveshjes paqësore të Konçulit që përfundoi konfliktin e armatosur të UÇPMB-së me forcat shtetërore serbe.

Intelektualët shqiptarë të Luginës apelojnë tek institucionet shqiptare në Tiranë, por sidomos në Prishtinë, që të ngrenë zërin për të rikujtuar dëbimin dhe genocidin masiv të ushtruar ndaj shqiptarëve në këtë rajon.

Ilir Meta, në cilësinë e Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm Shqiptar, dy vite më parë ishte një ndër zyrtarët më të lartë të institucioneve të shtetit shqiptar që vizitoi Luginën e Preshevës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA