Një milionë sirianë janë vënë nën kërcënimin e urisë, për shkak të konfliktit civil 22-mujor në vend, vlerësoi të martën një agjensi e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
”World Food Program” deklaroi se është duke ndihmuar me ushqime 1,5 milionë sirianë, por për shkak të intensifikimit të luftimeve dhe pamundësisë për të përdorur portin më të madh në vend (atë të Tartusit) për të dërguar ndihma, të paktën një milionë persona kanë mbetur jashtë vëmendjes së këtij programi.
”Situata gjithmonë e më e rrezikshme për punonjësit e “WFP”-së ka bërë që ata të tërhiqen nga qytetet e Homsit, Alepos, Tartusit dhe Qamislisë”, deklaroi zëdhënësja Elisabeth Byrs.
Në muajt e fundit të 2012-s, organizata u përball edhe me problemin se palët ndërluftuese vendosën që të mos respektojnë më neutralitetin e saj, duke sulmuar karvanet ushqimore.
Situata është përkeqësuar edhe më shumë me avancimin që kanë bërë kryengritësit në disa zona të vendit, duke shndërruar në sheh-beteje shumë pjesë të Sirisë që ishin prekur e dëmtuar relativisht pak nga lufta deri në ditët e sotme.
Në total, të paktën 60 mijë persona kanë humbur jetën gjatë konfliktit civil, sipas vlerësimeve të OKB-së.
Në vlerësimin e fundit mbi numrin e refugjatëve sirianë në vendet fqinje, ai u rrit me pothuajse 100 mijë në dhjetor, në shifrën zyrtare të 597 240 personash, të strehuar në kampe provizore kryesisht në Turqi, Liban apo Jordani.
Nderkohe, mbi katër milionë persona, në shtetin me 22 milionë banorë, besohet se janë zhvendosur në zona më pak të prekura nga lufta brenda vetë Sirisë.
Top Channel