
Në fjalimin e përjavshëm radiofonik, presidenti amerikan BarackOobama iu drejtua këtë herë bizneseve. Thelbi i mesazhit ishte nxjerrja në pah e avantazheve të investimit në Shtetet e Bashkuara.
Më shumë vende pune brenda kufijve, këtë kërkoi shefi i Shtëpisë së Bardhë, që javën e ardhshme zhvillon një takim mbi këtë temë me drejtues të lartë të biznesit.
“Gjatë ndalesës sime në Ohio diskutova për sfidën më madhore me të cilën përballemi aktualisht ne si vend: rindërtimin e ekonomisë sonë, në mënyrë që kush punon fort të shpërblehet, që përgjegjshmëria të shpërblehet dhe që njerëzit, pavarësisht cilët janë e nga vijnë, të arrijnë të realizohen nëse përpiqen vërtet. Kjo është ekonomia që Amerika meriton, kjo është ekonomia për ndërtimin e së cilës unë luftoj përditë”, deklaroi presidenti Obama.
Ekonomisë amerikane iu shtuan 200 mijë vende pune në muajin dhjetor, ndërkohë që papunësia ra në nivelin më të ulët të tre viteve të fundit. Raporti i Departamentit të Punës, i publikuar një ditë më parë tregoi se papunësia ka mbërritur në 8,5 përqind.
Të gjitha vendet e shtuara ishin në sektorin privat, sidomos në transport, shitjet me pakicë, prodhim dhe shëndetësi, ndërsa në sektorin shtetëror ka patur prapë rënie, si në nivel federal ashtu edhe lokal, me 12 mijë vende pune të tjera të shkurtuara gjatë këtij muaji.
Problemet e mëdha të punësimit kanë bërë që ekonomia të shndërrohet në element kryesor debatesh të fushatës elektorale për zgjedhjet presidenciale të këtij viti.
Top Channel