Nga pesë lojtarë të huaj, dy do të jenë pjesë e Vllaznisë

07/01/2012 00:00

Dy futbollistë të huaj do të vazhdojnë të jenë pjesë e ekipit të
Vllaznisë. Ata janë Serxhi Moreno nga Andorra dhe Selision Singbo nga
Benini, ku aktivizohet si qendërmbrojtës.

 “Të dy lojtarët, të cilët së bashku kanë 120 ndeshje me kombëtaret e tyre, them se janë një sinjal që duhet pasur parasysh dhe që duhet dhënë një shans për ta. Singbo ka 80 ndeshje me kombëtaren e tij dhe Moreno 40, janë eksperienca të mira për t’i parë në radhët tona. Por kjo mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim”, ka thënë trajneri i Vllaznisë, Rudi Vata. “Ne do të vazhdojmë punën tonë me grupin e lojtarëve që kemi, e sigurisht që kemi mjaft punë për të bërë deri në fund të muajit janar, për të konsoliduar akoma më shumë skuadrën”, shtoi më tej Rudi Vata. Vllaznia të enjten ka provuar pesë futbollistë të huaj, të cilët vetëm dy prej tyre e kaluan “klasën”, tre të tjerë u larguan menjëherë nga Shkodra, pasi nuk bindën për asgjë. Një ndër ta ishte anglezi Devid Pitt. Ai nuk dha ndonjë të veçantë. “Në pjesën e parë ishte diçka më mirë, ndërsa në të dytën nuk dha gjë, ndonëse është lojtar tip “Baloteli”, theksoi shkodrani. Në miqësoren e zhvilluar të enjten pritej të ishte i pranishëm edhe mbrojtësi brazilian Da Silva, i cili më parë ka luajtur me Bylisin, por është vonuar për shkak të linjave ajrore që kishin shumë ngarkesë. Mes Vllaznisë dhe brazilianit mungon vetëm firma për të konkretizuar gjithçka. Ndërkaq faza përgatitore e Vllaznisë në Ulqin është shtyrë. Nuk bëhen të qarta arsyet, por me shumë gjasa çdo gjë lidhet me faktin se skuadra shkodrane nuk ka qenë e plotë në nisjen drejt shtetit fqinj. Sipas drejtuesve të Vllaznisë, skuadra do të niset të premten drejt Ulqinit, ku do të qëndrojë për rreth 20 ditë.

Top Channel