Jemeni, OKB: Jo amnesti për krimet

07/01/2012 09:25

Shefja e sektorit të të drejtave të njeriut në OKB, Navi Pillay ka deklaruar se Jemeni duhet të japë garanci se kushdo që ka kryer krime gjatë protestave anti-qeveritare do të përballet me drejtësinë.

Zonja Pillay deklaroi se një marrëveshje e propozuar nga autoritetet jemenase për të shpallur amnesti për personat e përfshirë në trazira përbën shkelje të detyrimeve ndërkombëtare.

“Një gjë e tillë do të shkelte detyrimet e Jemenit ndaj të drejtave ndërkombëtare të njeriut”, theksoi Pillay.

Presidenti Ali Abdullah Saleh ka rënë dakord për t’u tërhequr në muajin shkurt, me kusht që atij dhe familjes së tij t’i garantohet imunitet nga përndjekja.

Protestat anti-qeveritare në Jemen filluan në janar të vitit 2011, në të njëjtën kohë me valën e manifestimeve që përfshinë botën arabe dhe që u pagëzuan me emrin Pranvera Arabe.

Qindra persona u vranë dhe mijëra të tjerë u plagosën nga forcat e sigurisë që përdorën dorë të hekurt për të shtypur protestat.

Zonja Pillay tha se ajo e ka ndjekur me vëmendje debatin në Parlamentin jemenas mbi amnestinë, që dyshohet se do të shpëtojë shumë bashkëpunëtorë të zotit Saleh nga drejtësia.

“Ligji ndërkombëtar dhe politika e OKB-së janë të qartë lidhur me këtë cështje. Amnestia nuk është e lejueshme nëse ajo parandalon hetimin e individëve që mund të jenë përgjegjës për krime ndërkombëtare, si krime lufte, krime kundër njerëzimit, genocid, etj”, tha Pillay.

“Në bazë të informacioneve që ne kemi mbledhur, ka arsye të mjaftueshme për të besuar se disa nga këto krime janë kryer në Jemen gjatë periudhës për të cilën një amnesti po merret në konsideratë”, shtoi ajo, pa përdorur emra konkretë.

Saleh nënshkroi më 23 nëntor një marrëveshje në bazë të të cilës ai ia dorëzoi pushtetin zëvendëspresidentit Abedrabbo Mansour Hadi. Megjithatë, ai do të mbetet president deri në shkurt, kur do të tërhiqet përpara zgjedhjeve të datës 21.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA