Ndërsa lufta në Siri intensifikohet, së bashku me frikën për “eksportimin” e konfliktit në të gjithë rajonin, Izraeli ka vendosur që të ndërtojë një garth me tela me gjemba dhe fortifikime përgjatë të gjithë kufirit të përbashkët.
Vendimi u shpall nga kryeministri Benjamin Netanyahu, i cili kryesoi një takim të përjavshëm të kabinetit qeveritar.
Më parë, Tel Avivi ka ndërtuar një garth të ngjashëm përgjatë 230 kilometrash edhe në kufirin me Egjiptin, në jug të vendit.
”Kemi si qëllim të ngremë një garth identik si ai me Egjiptin, me disa ndryshime të vogla të diktuara nga territori, si në lartësitë e Golan. E dimë se në anën tjetër të kufirit, në Siri, forcat siriane, të motivuara nga idetë xhihadiste, janë të gatshme të ndërmarrin veprime kundër interesave të Izraelit dhe është e nevojshme që të marrim masa për t’u mbrojtur”, deklaroi Netanyahu.
”Nëpërmjet këtyre fortifikimeve, do të rrisim aftësitë tona për t’u mbrojtur nga depërtimet e emigrantëve ilegalë dhe të terroristëve, ashtu siç kemi bërë në Sinai, në jug të vendit”, deklaroi Netanyahu.
Izraeli dhe Siria kanë një histori marrëdhëniesh të vështira, me vendet që janë përfshirë në disa seri konfliktesh të armatosura, përfshi ai i vitit 1967, kur Izraeli pushtoi lartësitë e Golanit, të cilat vazhdon t’i mbajë të pushtuara, pavarësisht protestave të vazhdueshme ndër vite të Damaskut zyrtar.
Top Channel