Dëbora e pazakontë pushton Austrinë

07/01/2012 19:20

Austria është përfshirë nga reshje të pazakonta dëbore të cilat kanë shkaktuar probleme në qarkullim dhe kanë bllokuar qindra turistë nëpër komplekset turistike dimërore në perëndim të vendit.

Situata më e vështirë paraqitet në dy qytetet, Innsbruck dhe Oetzazl. Linja hekurudhore në këto dy zona është bllokuar. Autoritetet kanë ndaluar udhëtimin e trenave për shkak të dëborës që ka arritur në 1.5 metër trashësi. Ato thonë se situata mbetet e rrezikshme për këdo që udhëton në këto zona.

Rreth 15 mijë persona mbetën pa energji elektrike në disa rajone, ndërkohë që 1500 turistë u bllokuan në resortin dimëror që shfrytëzohet për ski në malin Arlberg për disa orë. Falë ndërhyrjes me mjete borëpastruese turistët mundën të shpërngulen në zona më të sigurta, por problem është bllokimi disa prej banorëve.

Gjithashtu, ushtria austriake është vendosur në gatishmëri me helikopterët e saj, megjithëse deri më tani nuk ka qenë e nevojshme ndërhyrja e saj. Situata nuk paraqitet e mirë edhe për shkak të parashikimeve të meteologëve të cilët thonë se reshjet e dendura të dëborës do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Dëbora është një fenomen i zakonshëm në Austri në këtë periudhë të vitit, por sasia e rënë brenda pak ditëve, thonë autoritetet, është e pazakontë dhe për të hasur dicka të tillë duhet të shfletohet të dhënat historike në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA