Presidenti i Serbisë, Boris Tadic pas shumë vështërësish arriti të futet në territorin e Kosovës. Rruga e tij për në Manastirin e Deçanit u pengua disa herë megjithatë ai arriti në Decan nëpërmjet rrugës tokësore rreth orës 18:00.
Eskorta e tij u sulmua nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe qytetarë të Decanit, të cilët gjatë gjithë ditës protestuan kundër kësaj vizite.
Disa gurë u hodhën në makinat e EULEX-it të cilat po e shoqëronin delegacionin serb, edhe pse turma tashmë ishte izoluar nga njësia speciale e Policisë së Kosovës.
Aktivistët e Vetëvendosjes pas disa konfrontimesh me policinë përfunduan në oborrin e Komunës se Decanit dhe nuk arritën ta ndalojnë eskortën e Tadicit.
Paraprakisht, njësia speciale në dy raste hodhi sprej për të shpërndarë turmën e njerëzve.
Por pavarësisht kësaj, aktivistët e lëvizjes Vetëvendosje me parullën “Serbia nuk kalon” dhe flamuj kombëtarë në duar, depërtonin nga policia për të bllokuar rrugën nëpër të cilën do të kalonte eskorta e presidentit të Serbisë. Gjatë përleshjeve policia arrestoi disa aktivistë të Vetëvendosjes.
Qendra e Decanit u bllokua për qarkullim në kohën kur duhej të kalonte delegacioni nga Serbia. Forca të mëdha të sigurisë, si nga Policia e Kosovës po ashtu nga ato të EULEX-it e KFOR-it u shtrinë në Decan duke ofruar kështu një siguri të nivelit të lartë.
Presidenti serb pas veshtirësive që kaloi do të kalojë natën në Decan. Ndërkohë që mediat lokale nuk ulejuan ta përcjellin vizitën në manastir.
Ai nesër do të shkojë në Patriakanen e Pejës.
Top Channel