Tevez dhe Milani tashmë kanë gjetur një marrëveshje dhe transferimi pritet të zyrtarizohet në ditët në vazhdim, por Interi ka lëshuar një tentativë të fundit për të prishur këtë operacion duke kontaktuar vetë Cityn.
E përditshmja italiane “La Gazzetta dello Sport” publikoi të premten fotografitë e argjentinasit, në një darkë me administratorin e deleguar të Milanit, Adriano Galliani. Sipas asaj që shkruante gazeta, harmonia është e plotë dhe futbollist ka pranuar pagën më të ulët të ofruar nga skuadra milaneze.
Pranë zhbllokimit është edhe tratativa midis dy klubeve. Skuadra angleze kishte refuzuar fillimisht të huazonte sulmuesin me të drejtë blerjeje tek Milani, por Galliani ka gjetur një formulë më të përshtatshme për të dy klubet. Blerja e Tevezit do të kryhet automatikisht pasi ai të ketë zhvilluar 25 ndeshje me fanelën kuqezi, ndërsa vlera totale e operacionit do të jetë 25 milion euro.
Megjithatë, Interi, gjithashtu i interesuar për futbollistin, ka ndërhyrë duke i bërë City një ofertë më të lartë prej 30 milion eurosh. Një pikë e fortë e zikaltërve është edhe miqësia me ish-trajnerin e tyre, Roberto Mancini, që drejton skuadrën e vendit të parë në Premier League.
Sidoqoftë, sipas “La Gazzetta”-s, ndonëse oferta e Interit është më e lartë, ka pak gjasa që tratativa me Milanin të prishet, pasi dëshira e futbollistit është e qartë dhe ai ka zgjedhur të luajë për kuqezinjtë.
Top Channel