Skandali rreth kreut të financave zvicerane

06/01/2012 08:40

Guvernatori i Bankës së Zvicrës, Philip Hildebrand, hodhi poshtë spekulimet se ka abuzuar me detyrën, pasi u zbulua një operacion i dyshimtë financiar i gruas së tij.

Në një deklaratë për shtyp gjatë së premtes, ai bëri të qartë se nuk ka ndërmend të dorëhiqet. Skandali përfshiu kreun e financave zvicerane pasi u mësua se bashkëshortja e tij, Kashya, bleu 504 mijë dollarë në tregun valutor gjatë gushtit 2011.

Vetëm tre javë më pas, Banka Kombëtare lajmëroi një zhvlerësim të përgjithshëm të frangës dhe dollarët e blerë me një monedhë më të fortë, u përdorën për të blerë prona të patundshme.

Si rrjedhojë e këtyre transaksioneve, familja Hildebrand fitoi një vlerë të shtuar të parave të tyre, ndërsa me miliona zviceranë panë se si kursimet u zhvlerësuan pas vendimit të Bankës Qëndore.

“E kuptoj që disa prej transaksioneve që po diskutohen, në mënyrën se si janë portretizuar dhe interpretuar nga media mund të krijojnë dyshime rreth integritetit të figurës sime”, deklaroi Hildebrand.

“Leksioni më i rëndësishëm që nxjerr nga e gjithë kjo çështje është që përmirësime të mëtejshme në transparencën e çdo aspekti të transaksioneve financiare të antarëve të bordit të Bankës Kombëtare të Zvicrës është i domosdoshëm”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA