Rinis Seria A, Inter me mungesa kundër Parmës

06/01/2012 00:00

Trajneri i Interit, Klaudio Ranieri preferon të mos flasë për merkaton e transferimeve, pavarësisht zërave të shumta që kanë përfshirë skuadrën e tij.

Këtë fundjavë, zikaltrit do të luajnë ndaj Parmës në ndeshjen e parë të vitit 2012 në Serinë A dhe tekniku italian kërkon vetëm përqendrim nga futbollistët e tij.

‘Në sfidën me Parmën duhet të kemi shumë kujdes. Kjo skuadër ka qenë në gjendje të fitojë ndaj Napolit dhe Udinezes, por edhe ndaj nesh duke parë edhe statistikat. Gjithsesi i kam parë futbollistët e mi të vendosur dhe jam i bindur se do të bëjmë një ndeshje të mirë”, tha Ranieri.

Për ndeshjen me emiljanët, trajneri Ranieri nuk do të ketë në dispozicion Kivun, Stankoviç, Forlan dhe Shnajder. Të katër këta futbollistë ende nuk janë në 100% të formës së tyre dhe për këtë arsye, Ranieri preferoi të mos rrezikojë duke marrë parasysh se javën e ardhshme do të luhet derbi me Milanin.

Top Channel