
A do të mund të ketë ndonjëherë Shqipëria dhe Kosova një kampionat të
unifikuar futbolli? Kjo pyetje është kthyer në një çështje dite për
shumë të pasionuar të futbollit në mes shqiptarëve të të gjitha trevave.
Pas kërkesës së Aleancës Kuqezi që të bashkohen kampionatet kombëtare të Kosovës e Shqipërisë në futboll, konkretisht dy kategoritë elitare, ose më saktë profesioniste, si dhe kërkesës së hapur të klubit “FC Prishtina” që të bëhet pjesë e Kategorisë Superiore Shqiptare, ka reaguar dhe Federata e Futbollit e Kosovës, e cila ndër të tjera kujton se bashkimi, aq shumë i mirëpritur nga të gjithë, nuk ka gjasa të realizohet në një kohë të shkurtër, për shkak të shumë peripecive që dalin në aspektin ndërkombëtar, ku fjalën kryesore duhet ta thotë UEFA dhe FIFA.
Sipas saj, gjendja e tanishme nuk ndihmon në këtë aspekt dhe se ideja është e parakohshme. Më tej federata në fjalë kujton se ka një nivel të ndryshëm midis kampionatit shqiptar dhe atij kosovar dhe se bashkimi mund të ndodhë në të ardhmen krejt natyrshëm, kur gjërat të jenë pjekur më mirë. Gjithsesi, Prishtina e ka ngritur zërin e para për një bashkim me kampionatin shqiptar. Megjithatë mediat shqiptare dhe kosovare e kanë konsideruar reagimin e Federatës së Futbollit Kosovar si një kundërpërgjigje për lëvizjen që ka bërë një ndër klubet më të njohura kosovare, Prishtina. Këta të fundit, pak ditë më parë i kanë kërkuar Federatës Shqiptare të Futbollit që të bëhen pjesë e Kategorisë Superiore, duke siguruar se i kanë të gjitha garancitë financiare për të përballuar shpenzimet që do të duhen për të përballuar një realitet krejt të ri, atë të të qenit pjesë e futbollit elitar të Shqipërisë. Por tashmë të gjithë janë në dijeni, se marrëdhënia mes klubit të kryeqytetit të shtetit më të ri në botë, dhe presidentit të FFK-së nuk është nga më të mirat. Madje drejtuesit e Prishtinës, me në krye presidentin Remzi Ejupi, në zgjedhjet e fundit kanë qenë të vetmit që janë shprehur publikisht kundër rizgjedhjes së Fadil Vokrrit në krye të federatës kosovare.
Top Channel