Parlamenti i Bosnje e Hercegovinës do të mblidhet më 12 janar për të votuar kryeministrin e ardhshëm të vendit, ekonomistin Vjekosllav Bevanda.
Lajmin e bën të ditur “REL”, sipas të cilës Bevanda pritet të sigurojë mbështetjen parlamentare, në kuadër të një marrëveshjeje që u arrit për t’i dhënë fund krizës.
Nëse fiton postin, Bevanda do të ketë një muaj kohë për të formuar kabinetin e përbërë nga anëtarë të komunitetit mysliman, kroat dhe serb.
Marrëveshja mes palëve u arrit më 28 dhjetor të vitit të kaluar, duke i dhënë fund krizës politike që nisi 14 muaj më parë, kur dhe u mbajtën zgjedhjet legjislative.
Krerët politikë të komunitetit serb, atij kroat dhe atij mysliman aprovuan edhe një ligj për bilancin e vitit 2011, si dhe ranë dakord për një numër të caktuar ligjesh që i hapin rrugë afrimit të Bosnjes me Bashkimin Evropian, si dhe zhbllokojnë ndihmat e FMN-së dhe BE-së.
Por pavarësisht këtyre hapave pozitivë, analistët mendojnë se BeH do të vijojë të ketë problemin e unitetit, për shkak të qëndrimeve të presidentit të Republikës Serbe, se vendi do të ndahet.
Pak kohë më parë presidenti Milorad Dodik deklaroi se, Bosnja ndodhet në fazën e shpërbërjes dhe se atë nuk do të mund ta ndihmojë askush, madje as Shtetet e Bashkuara.
Por presidenti i palës boshnjake, Bakir Izetbegovic reagoi duke deklaruar se Bosnja nuk do të bëhet kurrë pjesë e Serbisë së madhe.
Në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve “Anadollia”, Izetbegovic paralajmëroi se ata që do të nxisin këtë gjë do të përballen me probleme serioze.
Top Channel