
Turneu i Katarit në tenis për meshkuj ka mësuar emrat e katër gjysmëfinalistëve të tij. Mes tyre spikasin emrat e Rafael Nadal dhe Roxher Federer që mundën në cerekfinale repsektivisht Mikail Juzhni dhe Andreas Sepi.
Tenisti spanjoll fitoi ndaj Juzhnit me rezultatin 2-0. Setin e parë numri 2 i renditjes botërore e kontrolloi mjaft mirë të cilin e mbylli me 6-4. Në setin e dytë, Nadal hasi më shumë vështirësi kundrejt rivalit të tij, por në fund arriti ta fitojë edhe këtë fraksion të lojës me të njëjtin rezultat, 6-4.
Në gjysmëfinale, Nadal do të luajë kundër Gael Monfìs i cili mundi tenistin serb, Viktor Troicki. Francezi e dominoi totalisht sfidën me Troickin të cilin e mundi në 2 sete 6-2 dhe 6-3.
Më të vështirë e pati sfidën e tij Roxher Federer. Zvicerani luajti në cerekfinale me Andreas Sepin ndaj të cilit fitoi 2-1. Setin e parë Federer e mbylli shumë shpejt duke e fituar atë 6-3. Italiani vendosi ekuilibrin në këtë takim duke fituar setin e dytë me rezultatin 7-5. Në setin final, Federer arriti të fitojë një gejm me shërbimet e Sepit duke e mbyllur atë 6-4.
Në gjysmëfinale Federer do të luajë me francezin Zho Volfrid Tsonga që mundi me lehtësi francezin Ramos në 2 sete 6-2; 6-1.
Top Channel