Afganistan, bomba vret 6 fëmijë

06/01/2012 16:55

Të paktën gjashtë fëmijë dhe një i rritur u vranë kur një bombë e fshehur mes mbeturinave në provincën afgane të Uruzganit shpërtheu.

Sipas autoriteteve lokale, katër fëmijë të tjerë mbetën të plagosur nga shpërthimi, pasi po luanin pranë vendit të ngjarjes.

Objektivi i vërtetë i ngjarjes është ende i paqartë. Ndërkohë, NATO ka njoftuar se pesë ushtarë të komandës janë vrarë në sulme të ndryshme në jug të Afganistanit.

“Gjashtë trupa u vranë nga një bombë e vendosur anës rrugës, ndërsa një i shtatë u vra gjatë një sulmi të rebelëve”, thuhet në një komunikatë zyrtare.

Shpërthimi i së premtes në Uruzgan është i treti brenda një jave ku kanë mbetur të vdekur fëmijë, raporton korrespondenti i BBC në Kabul, Bilal Sarway.

“Eksplozivi ishte vendosur brenda një grumbulli plehrash në lagjen Kalaca dhe si pasojë e shpërthimit shtatë persona, mes të cilëve 6 fëmijë, mbetën të vrarë”, deklaroi Farid Ayal, zëdhënës i policisë.

Më herët gjatë ditës, dy roje mbetën të vrarë dhe katër të tjerë të plagosur kur persona të armatosur sulmuan një pikë kontrolli të menaxhuar nga një firmë private sigurie, po në Uruzgan.

Forcat e NATO-s luftojnë me talebanët dhe militantët e tjerë që kundërshtojnë qeverinë e mbështetur nga Perëndimi që prej vitit 2001 dhe duhet ta përfundojnë misionin në vitin 2014.

Megjithatë, gjërat mund të përshpejtohen pas arritjes së një marrëveshjeje paraprake mes talebanëve dhe Perëndimit për hapjen e një zyre politike në Katar, me qëllim zhvillimin e bisedimeve për dhënien fund të luftës.

Marrëveshja në fjalë dhe bisedimet e mundshme mes palëve u mirëpritën edhe nga vetë presidenti afgan Hamid Karzai, i cili u shpreh optimist për dhënien fund të dhunës në vendin e tij. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA