14 janari do ta sjellë Lëvizjen Vetëvendosje në dy pikat kufitare me Serbinë, në atë të Merdarës dhe të Dheut të Bardhë.
Ata do të jenë atje për t’i bllokuar këto dy pika kufitare, për shkak të mbrojtjes së vendimit të Kuvendit të Kosovës për reciprocitet me Serbinë si dhe të mbrojtjes së prodhimeve vendore.
Visar Ymeri, antar i kësaj Lëvizje tha se Qeveria e Kosovës me veprimet e saj, në njërën anë po e injoron organin më të lartë, Kuvendin, ndërsa në anën tjetër po e gënjen popullin si një sovran që është.
“Përveç se nuk e ka zbatuar, tashmë është bërë e qartë se realisht nuk do të zbatohet vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndërkohë që, në anën tjetër, qeveria vazhdon të thotë se jemi në kushte të reciprocitetit të plotë me Serbinë. Kjo do të thotë se qeveria, në njërën anë vazhdon ta injorojë organin më të lartë vendimmarrës në vend, pra Kuvendin, dhe në anën tjetër vazhdon ta gënjejë sovranin, vazhdon ta gënjejë popullin për çështjen e reciprocitetit”, u shpreh Ymeri.
Ai ka treguar edhe dokumente që janë lëshuar në vitin 2010, të cilat mbajnë elemente të shtetësisë së Kosovës, ndërsa ka shfaqur edhe dokumente të tjera që janë lëshuar nga po i njëjti institucion i Republikës së Kosovës, por që tashmë nuk figurojnë elementet e shtetësisë së Kosovës.
Ndërkaq, Dardan Mulliqaj u ka bërë thirrje qytetarëve që me 14 janar t’iu bashkohen në na pikat kufitare. “Lëvizja Vetëvendosje, më 18 dhjetor të vitit 2011 kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës të fillojë së zbatuari vendimin e Kuvendit, duke filluar nga 1 janari i këtij viti. Sipas tyre, kjo ende nuk ka filluar të zbatohet dhe si rrjedhojë e kësaj, do të zhvillohet aksioni në fjalë”, u shpreh antari i Vetëvendosjes.
Top Channel