Një polic ndërroi jetë dhe pesë të tjerë janë në gjendje të rëndë në spital, pas një shkëmbimi zjarri të ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes në Utah, SHBA.
Ngjarja ndodhi kur patrulla e policisë po tentonte të hynte në një banesë, për të cilën kishte mandat kontrolli pasi dyshohej se ishte e lidhur me trafikun e drogës. Megjithatë, kontrolli ishte vlerësuar si “rutinë”, prandaj në vend ishin dërguar trupat e zakonshme policore dhe jo ekipet e zgjedhura.
I dyshuari i ndodhur në banesën e tij në qytetin Ogden hapi zjarr ndaj policëve dhe duke përfituar nga një pozicion i favorshëm, qëlloi gjashtë prej tyre, përpara se të plagosej vetë. Ai u arrestua dhe u dërgua në spital, ku është jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, agjenti Jared Francom ndërroi jetë në vendngjarje nga plagët e marra e pesë të tjerë janë në spital duke luftuar për jetën e tyre.
Sipas të përditshmes “Salt Lake Tribune”, e cila citoi një banor të pallatit, në total u shkëmbyen 30-40 të shtëna.
Top Channel