Rally Dakar 2012, Peterhansel rimerr kryesimin

05/01/2012 00:00

Stefan Peterhansel është fituesi i etapës së 4 të Rally Dakar 2012 në kategorinë e makinave. Piloti francez i Minit bëri një paraqitje më të mirë në këtë ditë duke arritur të fitojë me kohën 3 orë 49 minuta e 33 sekonda.

Menjëherë pas tij u rendit argjentinasi Orlando Terranova me mbi 5 minuta më shumë se Peterhansel, ndërkohë që në vendin e tretë u pozicionua afrikano-jugori Zhinièl De Viljèrs.

Fitorja e kësaj etape të Rally Dakar, i dha mundësinë Peterhansel të rimarrë kryesimin në renditjen e përgjithshme në kategorinë e makinave duke lënë në vendin e dytë De Viljers dhe në të tretin Nani Romën. Piloti polak Holovçiç zbriti në vendin e katërt.

Në kategorinë e motorëve, Mark Koma rikthehet te suksesi. Piloti spanjoll i KTM është fituesi i etapës së katërt të këtij evenimenti me kohën 4 orë 16 minuta e 43 sekonda. Në vendin e dytë u rendit rivali i tij Siril Desprè me 2 minuta më shumë se Koma, ndërsa në të tretin u pozicionua Franc Verhoven.

Në renditjen e përgjithshme për motorë vazhdon të kryesojë francezi Desprè, i ndjekur nga Mark Koma, ndërsa në vendin e tretë është ngjitur portugezi i Yamaha, Helder Rodrigez.

Top Channel