Kriza e Ngushticës së Hormuzit dhe embargoja e pritshme e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian kundër Teheranit mund të krijojnë kolaps energjitik në Greqi.
Lajmi bëhet i ditur nga burime diplomatike greke, të cilat thanë për Top Channel se një embargo e mundshme mund të shkatërrojë sistemin energjitik në Greqi.
Republika Islamike është i vetmi vend që mundëson furnizimin e rafinerive greke me një cmim pesë dollarë më të ulët se tregu ndërkombëtar. Por, sic raportohet, asnjë bankë ndërkombëtare nuk i njeh letrat me vlerë të bankave greke, të cilat janë në prag falimentimi.
Sipas burimeve, Greqia ka një rezervë energjitike prej afro 90 ditësh, por nëse situata në Gjirin Persik pershkallëzon deri në mbylljen prej Iranit të Ngushticës së Hormuzit, atëherë vendi nuk ka asnjë shans të sigurojë naftë bruto për tre rafineritë e vendit.
Nëse kjo ndodh, atëherë cmimi i karburantit do të rritet të paktën 15%, duke shkatërruar kështu rezervat e fundit valutore të ekonomisë greke.Vetë Greqia mund të prodhojë pak më tepër se 22% të nevojave të vendit në fushën naftëmbajtëse në Prinu të Kavallas, por kjo nuk mjafton.
Të gjithë projektet për kërkim hidrokarburesh në Greqinë Perendimorë dhe Kretë,nuk priten të fillojnë përpara fundit të 2012, ndërsa shfrytëzimi i këtyre rezervave nëse gjenden, jo më herët se 2015.
E vetmja mundësi mbetet furnizimi me naftë prej Rusisë, por askush në Athinë nuk do të guxojë të kërkojë ndihmën e Moskës, e cila sipas analistëve, në raste analoge kërkon shkëmbime politike të tilla që mund të krijojnë pakënaqësi në aleatin e vetëm të Greqisë në arenën ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më herët, Ministri i Jashtëm grek, Stavros Dhimas, informoi presidentin e vendit Karolos Papulias dhe kryetarët e partive parlamentare për situatën energjitike. Gjithashtu ai ka nisur kontaktet me homologët e tij europianë për gjetjen e një zgjidhje që do të kënaqë të gjitha palët.
Top Channel