Më 21 janar nis epoka De Biasi

05/01/2012 00:00

Trajneri Gianni de Biasi do të nisë aventurën e tij në krye të Kombëtares
më 21 janar, kur dhe do të grumbullojë një grup prej 21 lojtarësh që
aktivizohen në kampionatin shqiptar.

Lista është përgatitur nga Drejtoria Teknike e Ekipeve Kombëtare dhe në përbërje të saj janë tre portierë, pesë mbrojtës, 12 mesfushorë dhe tre sulmues. Skuadra e Teutës, e cila u shpall edhe kampionia e dimrit si dhe Flamurtari, kryesojnë edhe listën me nga gjashtë futbollistë.

Pas tyre renditen 24 herë kampionët e Shqipërisë, Tirana e Rubio Sançez me katër futbollistë, Skënderbeu me tre futbollistë dhe më pas vijnë Bylisi, Vllaznia, Kamza me nga një futbollist si dhe Liteksi i Loveçit me një lojtar, i cili është Armando Vajushi. Sulmuesi shkodran është blerë nga skuadra bullgare dhe meqenëse periudha e grumbullimit 21-25 janar nuk është një datë e lirë nga FIFA, atëherë vështirë se do të lejohet.

Trajneri i ri i Kombëtares, De Biasi, do të bëjë njohjen e parë me cilësinë e futbollit shqiptar, kur në listën e italianit dhe ndihmësve të tij do të jenë për pesë ditë me radhë këta 23 lojtarë që aktivizohen në kampionatin shqiptar. Më datë 21 janar, në orën 10:00, Kombëtarja jonë do të grumbullohet në hotel “Adriatik”, në Durrës dhe në orën 15:00 do të kryejë stërvitjen e parë nën drejtimin e trajnerit të ri. Nga data 22 janar deri më datë 24 janar, Shqipëria do të kryejë dy seanca stërvitore në ditë, një në orën 10:00 dhe një në orën 15:00. Më datë 25 janar 2012, skuadra e trajnerit De Biasi do të kryejë vetëm një seancë stërvitore në orën 10:00. 55-vjeçari, i cili më parë ka drejtuar klube si Basano, Viçenca, Vastese, Kapri, Kosenca, Spali, Modena, Breshia, Torino, Levante dhe Udineze do të kryejë me këta lojtarë tetë seanca stërvitore në stadiumin e Teutës, “Niko Dovana” në Durrës. Italiani e nisi karrierën si trajner me të rinjtë e Basano Virtus, në sezonin 1990-1991. Në vitin 2003-2004 debuton në serinë A me Breshian, ku qëndron në pankinë për dy vjet. Gjatë viteve 2005-2007 drejton Torinon, shkarkohet në fillim të vitit 2007 për konfrontime me presidentin e klubit torinez, dhe më pas rithirret të shpëtojë skuadrën, kur kishin mbetur edhe 14 javë. Në sezonin 2007-2008 firmos një kontratë me klubin spanjoll të Levantes, e cila pas shtatë javësh ndodhej në vend të fundit. Për shkak të problemeve financiare të klubit ai e prish kontratën me të në prill të 2008-s.

Top Channel