Kupa e Mbretit, Barça poker ndaj Osasunës

05/01/2012 00:00

Barcelona e nis në mënyrën më të mirë të mundshme vitin 2012. Skuadra katalanase fitoi pastër ndeshjen e parë të 1/8 të finaleve të Kupës së Mbretit ndaj Osasunës me rezultatin 4-0.

Të besuarit e Pep Guardiolës e vunë që në fillim këtë sfidë në kontrollin e tyre dhe pse në fushën e lojës nuk ishin të gjithë futbollistët titullarë.

Seria e golave për Barcelonën u hap në minutën e 13 me anë të Cesk Fábregas, i cili shënoi pas një pasimi të saktë të Xavi Hernandez. Pesë minuta më vonë, 24-vjecari shënoi golin e dytë, ku edhe këtë radhë ishtë Xavi ai që pasoi saktë në drejtim të tij. Rezultati i pjesës së parë mund të kishte qenë edhe më i thellë, por portieri dhe mbrojtja e Osasunës shmangën goleadën.

Gjithsesi në pjesën e dytë Barcelona e gjeti sërish rrugën e rrjetës dhe këtë radhë me anë të Lionel Mesit. Argjentinasi u aktivizua 30 minuta në këtë ndeshje, megjihatë ai e gjeti kohën për të lënë gjurmët e tij. Mesi shënoi golin e tretë pas një gjuajtje me kokë, ndërkohë që në minutat shtesë të takimit i coi shifrat në 4-0.

Në ndeshjen tjetër të Kupës së Mbretit, Real Sociedad fitoi në ndeshjen e parë ndaj Majorkës me rezultatin 2-0.

Top Channel