Dhjetëra mijëra fshatarëve në krahina veriore e bregdetare të Holandës u është kërkuar të largohen me urgjencë nga shtëpitë e tyre, pasi rreshjet e vazhdueshme dhe erërat e forta kanë rritur mundësinë e përmbytjeve.
Megjithatë, disa fermerë në Tolbert, një komunë e ndodhur në veri të Groningenit, kanë refuzuar që të braktisin fermat, pavarësisht lajmeve se një digë mbrojtëse është në rrezik shpërthimi nga forca e ujit që po përplaset vrullshëm në të.
Alarmi për përmbytje është dhënë në të gjithë zonat bregdetare në Holandë, ndërsa moti i keq është duke krijuar probleme edhe në disa vende të tjera europiane, si Britania e Madhe dhe Uellsi, ku era ka mbërritur deri në shpejtësinë e 178 kilometrave në orë.
Gjatë javës, dy persona humbën jetën në ishull, në aksidente të provokuara nga rrëzimi i shtyllave të tensionit apo pemëve.
Gjermania gjithashtu është në alarm, pasi shpejtësia e erës ka arritur në 133 kilometra në orë. Megjithatë, më shqetësues nga të gjitha është gjendja e lumit Rin, i cili është fryrë shumë prej rreshjeve dhe është në prag të daljes nga shtrati i tij në qytetin e Këlnit.
Në ditët në vazhdim, Europa Perëndimore do të vazhdojë të përballet me kohën e keqe, temperature nën zero dhe ngrica.
Në Francë, Belgjikë, Suedi e Danimarkë dëmet kanë qenë më të vogla, por koha e keqe ka krijuar vonesa të mëdha në qarkullimin e të gjitha mjeteve të transportit.
Top Channel