Shtetet e Bashkuara deklaruan se kërcënimi i Iranit për të reduktuar kalimin e anijeve në Gjirin Persik, në rast sanksionesh të reja, tregojnë se presioni ndërkombëtar mbi Republikën Islamike po jep efekt.
Departamenti i Shtetit deklaroi se sanksionet mbi Teheranin për programin e tij bërthamor po rëndojnë seriozisht dhe se Irani po përpiqet që të largojë vëmendjen e botës nga ky fakt.
Irani zhvilloi 10 ditë stërvitje ushtarake pranë ngushticës së Hormuzit. Monedha iraniane Rial ka rënë në nivele rekord, por sipas zyrtarëve në Teheran kjo s’ka të bëjë me sanksionet.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar deri më tani katër radhë sanksionesh ndaj Iranit, meqë ky i fundit refuzoi të ndalonte programin e tij bërthamor dhe pasurimin e uraniumit.
Sipas SHBA, tani që bota ka provën e efektit të sanksioneve, nuk duhet të lëshojë pe deri sa Irani të vendosë t’u bindet politikave ndërkombëtare.
Një ditë më parë edhe Franca kërkoi ashpërsimin e sanksioneve kundër Iranit për të mos lejuar Republikën Islamike të arrijë të ndërtojë armë bërthamore.
Top Channel