Ish-futbollisti brazilian, Luiz Nazario da Lima Ronaldo, është shtruar ditën e martë në spital për shkak se është prekur nga ethet tropikale.
Golashënuesi më i mirë në historinë e botërorëve ka publikuar në Twitter një foto të tijën ku shihet i ulur në krevatin e spitalit me një serum pranë vetes.
“Mirëdita të gjithë atyre që kanë nisur vitin me ethe tropikale!”, ka shkruar dy herë kampioni i botës me Brazilin në profilin e tij në Twitter.
Në një mesazh tjetër, ish-futbollisti i Barcelonës, Interit, Real Madridit dhe Milanit, ka shkruar “Mushkonjë e mallkuar!” duke iu referuar insektit që nëpërmjet pickimit përhap këtë sëmundje që shoqërohet me temperaturë të lartë.
“Tani jam më mirë dhe po e marr veten. Tani më duhet vetëm të pushoj për tu shëruar plotësisht”, shkroi Ronaldo.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Brazil, shirat dhe temperaturat e larta që karakterizojnë këtë periudhë të vitit favorizojnë shtimin e Aedes aegypti, mushkonjës që është përgjegjëse për përhapjen e kësaj sëmundjeje.
Vetëm në gjysmën e parë të vitit të kaluar rreth 300 persona kanë humbur jetën në Brazil si pasojë e etheve tropikale.
Top Channel