
Në vitin e 100-vjetorit të pavarësisë, Aleanca Kuq e Zi ka ndërmarrë një nismë të re, kësaj here në fushën e sportit.
Nisma “Një komb, një kampionat” ka për qëllim bashkimin e kampionateve të futbollit të Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo,sipas Aleancës, duhet paraprirë nga një Kuvend i dy federatave, që duhet të dalin me një marrëveshje dhe strategji të përbashkët.
“Marrëveshja dhe strategjia të kenë si synim realizimin brenda 100-vjetorit të pavarësisë të objektivit “Një komb, një kampionat”, duke përfshirë në një konkurrim të përbashkët të përfaqësive të futbollit të të gjithë qyteteve në Shqipëri dhe Kosovë; hapjen e negociatave me të gjithë institucionet ndërkombëtare, si UEFA dhe FIFA për zyrtarizimin e këtij objektivi me qëllim njohjen dhe standardizimin e të gjithë kategorive sportive në Shqipëri dhe Kosovë, si një trup i vetëm; zhvillimin e seminareve, konferencave, tryezave konsultative, diskutimeve me ekspertë vendas dhe të huaj për të realizuar një debat institucional dhe transparent me të gjithë klubet e futbollit në Shqipëri, Kosovë dhe presidentët e tyre, aksionerët e shoqërive, tifozët, me qëllim realizimin e një vendimmarrje sa më të gjerë, gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë në këtë fushë”, tha drejtori Ekzekutiv i Aleancës, Redi Rama.
Ky propozim i Aleancës Kuq e Zi i është dërguar në formën e një kërkese zyrtare Federatës së Futbollit të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, por edhe autoriteteve ndërkombëtare të futbollit. Mirëpo Federata e Kosovës nuk njihet ende nga UEFA dhe FIFA dhe kjo i ka penalizuar klubet kosovare të futbollit në aktivitetet ndërkombëtare.
Në këto kushte, sa i mundshëm është unifikimi i kampionateve dhe i federatave? Sipas specialistëve të futbollit, kjo mund të lejohet nga UEFA vetëm nëse klubet e Kosovës luajnë në kampionatin e Shqipërisë, që do të jetë vitrina dhe marka zyrtare e këtij aktiviteti sportiv.
Top Channel