Liderët ilegalë serbë në komunën e Leposavicit, në veri të Kosovës, vendosën të martën që më 15 shkurt të mbahet referendumi, përmes të cilit serbët do të shprehen nëse pranojnë ose jo autoritetin e institucioneve të Kosovës.
Në mbledhjen e zhvilluar, ku merrnin pjesë 16 nga 31 anëtarë të të ashtuquajturit Kuvendi i Leposavicit, të gjithë votuan pro referendumit, që do të mbahet edhe në tre komuna të tjera me shumicë serbe.
Vetë kryetari ilegal i komunës së Leposavicit, Branko Ninic ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Beta” se është kundër mbajtjes së referendumit.
“Komunat me shumicë serbe në veri nuk kanë përse të prononcohen, kur dihet se institucionet e Prishtinës nuk i ka pranuar as qeveria e Serbisë”, ka pohuar Ninic.
“Kushtetuta e Serbisë e përcakton qartë se Kosova është pjesë e saj dhe për këtë arsye nuk ka nevojë të mbahet një referendum”, ka shtuar ai.
Pak kohë më parë edhe presidenti i Serbisë, Boris Tadic kundërshtoi mbajtjen e referendumin, me pretendimin e ngjashëm se, “e gjithë bota e di që serbët e veriut nuk i pranojnë institucionet e Kosovës”.
Top Channel