Policia kosovare ka sekuestruar në dy ditët e fundit të vitit 2011 një sasi rekord prej rreth 12.300 fishekësh që po kalonin ilegalisht kufirin, të transportuar në dy automjete të ndryshme.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat kosovare, sipas të cilave sasia kryesore, prej 12.256 fishekësh, u sekuestrua më 30 dhjetor, në një makinë me targa kosovare, ku udhëtonte një familje prej 4 anëtarësh.
Sipas burimeve, makina u zgjodh për t’u kontrolluar nga agjentët e kufirit, të cilët pasi vunë re peshën e lartë të automjetit bënë një kontroll të detajuar duke gjetur fishekët, të fshehur nën sediljet e pasme dhe në pjesët anësore të makinës.
Burimet saktësojnë se në të njëjtën makinë u gjet edhe një armë automatike e tipit Kallashnikov, ndërkohë që fishekët ishin të kalibrit 7.62 milimetra.
Ndërsa pjesa tjetër e fishekëve, 62 copë, u gjetën në një makinë që vinte nga Shqipëria, e cila e drejtuar nga dy shtetas shqiptarë, po tentonte të hynte në Kosovë ditën e ndërrimit të viteve.
Dy shtetasit shqiptarë u arrestuan nga policia kosovare, e cila ia dorëzoi materialet e mbledhura prokurorisë për të hetuar organizatorët e trafikut dhe destinacionin e materialit luftarak.
Top Channel