Qytetarët e Kosovës nuk i marrin shumë parasysh thirrjet e policisë për të mos përdorur armët e zjarrit gjatë festimeve, edhe pse kjo mënyrë festimi shpesh u kushton edhe humbjen e jetës.
Një qytetar nga Prizreni ka gjetur vdekjen pasi është qëlluar me armë zjarri teksa po festonte ndërrimin e viteve. Burimet nga hetuesia thonë se vrasja në fjalë ka ndodhur rastësisht dhe si viktima, ashtu edhe vrasësi ndodheshin nën ndikimin e alkoolit.
Sipas të njëjtave burime, shkrepja e armës nga vrasësi erdhi pasi viktima kishte kërkuar një këngë e cila nuk i kishte pëlqyer vrasësit, c’ka ka bërë që ai të nxjerrë pistoletën e të qëllojë në drejtim të tij.
Zëdhënësi i policisë tha se autori i vrasjes është Muhamet Kokollari nga Prizreni që është arrestuar ditën e mërkurë.
“Kemi patur dy raste të evidentuara, një vrasje dhe një rast tjetër plagosje me armë zjarri. Vrasja ka ndodhur në Landovic të Prizrenit”, thotë zëdhënësi Baki Kelani.
Përleshje me armë zjarri ka ndodhur më 3 janar edhe në Prishtinë. Sipas policisë, një person është plagosur nga këto përleshje dhe gjendet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia po heton motivet e ngjarjes së rëndë.
Policia raporton se nga përdorimi jo i duhur i fishekzjarreve janë lënduar 24 persona, dy prej të cilëve me djegie të shkallës së dytë.
Top Channel