Ka rifilluar lëvizja e emigrantëve që kthehen në vendet e tyre të punës përmes pikës kufitare të Kapshticës, e cila u paralizua pak më parë si pasojë e një defekti.
Sipas informacioneve të autoriteteve lokale, defekti u regjistrua në sistemin kompjuterik të palës shqiptare, ndërkohë që në atë greke puna vijonte normalisht.
Sipas burimeve, ekspertë të elektronikës punuan për riparimin e defektit, që përkohësisht shkaktoi radhë të gjata automjetesh në pikën kufitare.
Sapo kaloi festa e madhe e ndërrimit të viteve në pikat doganore të vendit nisi sërish qarkullimi masiv i udhëtarëve. Kapshtica ka qenë pika më e populluar nga emigrantët.
Mëngjësin e së martë në këtë pikë pati një fluks të dendur të udhëtarëve, në hyrje dhe në dalje, me palën greke që punoi me sportele te reduktuara duke shtuar vështirësitë për kalimin e kufirit.
Më 2 janar pala shqiptare nisi punën me 9 sportele, 6 prej të cilave në ndihmë të daljes së udhëtarëve, kurse 3 për hyrjen.
Ndërsa pala greke nisi punën vetëm me 1 sportel në hyrje dhe 1 në dalje, duke shkaktuar kështu radhë të gjata me automjete dhe njerëz në anën greke të doganës.
Top Channel