Talebanët arrijnë paktin me Perëndimin

03/01/2012 00:00

Guerrilasit talebanë thonë se kanë arritur një marrëveshje paraprake për
të hapur një zyrë politike në Katar, si pjesë e planeve të Perëndimit
për t’i dhënë fund luftës.

Lajmi konfirmohet në një deklaratë, ndërkohë që edhe presidenti afgan Hamid Karzai ka mirëpritur marrëveshjen, ndonëse është në fillesat e saj.

Si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Gjermania kanë nxitur palët për krijimin e një zyre përfaqësie në përpjekje për të nisur negociatat me rebelët.

Zyra shihet nga disa si një hap jetik drejt përfundimit të konfliktit 10-vjecar në Afganistan.

Megjithatë, mbetet ende e paqartë nëse rebelët, që deklarojnë se janë duke fituar luftën, janë të përgatitur për t’u angazhuar seriozisht në bisedimet për paqen dhe nëse ato mund të mbahen kur trupat ndërkombëtare vijojnë të vrasin talebanët dhe komandantët e tyre.

Në deklaratën e tyre, guerrilasit thonë se problemi aktual i Afganistanit filloi me pushtimin e udhëhequr nga SHBA në vitin 2001 dhe dy palët kryesore të përfshira në të.

Bëhet fjalë pikërisht për talebanët nga njëra anë dhe Shtetet e Bashkuara me aleatët e tyre nga ana tjetër.

“Për hir të një mirëkuptimi më të mirë me ndërkombëtarët, ne kemi arritur një marrëveshje paraprake për të pasur një zyrë politike në Katar”, thuhet në deklaratë, ku ndër të tjera kërkohet lirimi i të burgosurve afganë në Guantanamo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA